Person

Çfarë është një Sinjalizues i Besuar?

Ofruesit e platformave online (rrjete sociale, faqe interneti, chat dhe blogje), kanë ndërtuar filtra dhe programe teknologjike për të identifikuar përmbajtjen e paligjshme që qarkullon në hapësirën online me qëllim bllokimin e saj. Megjithatë, inteligjenca artificiale ka kufizime dhe nevojitet që të ketë ndihmën njerëzore për të analizuar mesazhet më të sofistikuara. Këtë boshllëk e plotësojnë Sinjalizuesit e Besuar. Inteligjenca njerëzore është thelbësore kur mesazhet e grupeve ekstremiste nuk janë të drejtpërdrejta dhe sidomos në një gjuhë të dedikuar si shqipja. Platformat e mediave sociale kanë inkurajuar përdoruesit individualë dhe organizata me ekspertizë për të raportuar përmbajtjen në internet falë një komunikimi të drejtpërdrejtë me stafin e tyre. Këta kontribues vullnetarë quhen "Sinjalizues të Besuar”.

Sinjalizues të Besuar konsiderohen përdoruesit e internetit, të cilët kanë një nivel më të lartë njohurish për të ngritur “flamurin e kuq” të raportimit për materialet e paligjshme. Ata mund të jenë individë që dëshmojnë besueshmëri, entitete të regjistruara apo edhe ekspertë të profilizuar në fushat përkatëse të raportimit.

Që prej maj 2016, Komisioni Evropian ra dakord me Facebook, Microsoft, Twitter dhe YouTube për një "Kod sjelljeje për të luftuar gjuhën e paligjshme të urrejtjes në internet", i miratuar më vonë nga shumë kompani të tjera. Për të parandaluar dhe luftuar përhapjen e gjuhës së paligjshme të urrejtjes në internet, "Kodi i sjelljes" u kërkon këtyre kompanive të angazhohen në partneritete dhe aktivitete trajnimi me përdoruesit dhe organizatat civile në mënyrë që të zgjerojnë rrjetin e tyre të sinjalizuesve të besuar.

Pas kësaj eksperience pozitive, më 20 janar 2022, Parlamenti Evropian miratoi propozimin për Tregun Unik për Shërbimet Dixhitale (Digital Services Act) duke përcaktuar funksionin e sinjalizuesit të besuar, si pjesë e e mekanizmave të detyrueshëm të "njoftimit dhe veprimit" që duhet të krijohen nga platformat online për bllokimin e përmbajtjes së paligjshme.

Çfarë përmbajtje mund të raportohet

Çdo veprim i dënueshëm në "jetën reale" duhet të jetë i paligjshëm edhe kur ndodh në hapësirën online. Një përshkrim i përgjithshëm i përmbajtjes së paligjshme mund të jetë çdo aktivitet, informacion ose material i ngjashëm që bie në kundërshtim me ligjin dhe mund të dëmtojë dhe / ose të shkaktojë paragjykim për një individ ose entitet.

rmbajtja e paligjshme përfshin imazhe dhe mesazhe në rrjete sociale, faqe interneti, dhoma diskutimi (chat dhe blogje), që paraqesin fyerje, dhunë, urrejtje, racizëm, pornografi apo forma të tjera denigruese ndaj personave apo grupimeve të caktuara.