Person

Si funksionon raportimi i prioritizuar?

Platformat ndërkombëtare të tilla si Facebook, Twitter, Instagram, Tik-Tok apo Youtube janë të detyruara nga legjislacioni ndërkombëtar që të ofrojnë një mundësi për të raportuar për çdo përdorues. Koha për të analizuar raportimet e kryera, paqartësia, problematika e gjuhës apo edhe numri i lartë i tyre, shkakton vonesa apo pamundësi për të bllokuar në kohë materialet e raportuara.

Për këtë qëllim, flamurët e kuq të ngritur nga sinjalizuesit e besuar kanalizohen me prioritet nëpërmjet komunikimit të dedikuar me kompanitë e ofrimit të shërbimeve online. Ky është një nga avantazhet e sinjalizuesve, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të qënë të besueshëm dhe ofruar sa më shumë informacione të qarta për shkeljet e konstatuara.

AKADEMIA & RRJETI I SINJALIZUESVE TË BESUAR

Akademia e Studimeve Politike (ASP) në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Elektronike (AKCESK) po organizojnë Akademinë e Sinjalizuesve të Besuar të Internetit.

Programi i akademisë përbëhet nga një cikël trajnimesh (4 trajnime) për të rritur njohuritë për identifikimin dhe bllokimin e përmbatjes së paligjshme online, legjislacionin dhe të drejtat në këtë fushë si dhe ndarjen e eksperiencës më të mirë në këtë sektor në Evropë dhe SHBA. Programi mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në kuadër të projektit “Sinjalizues të besuar për një ekosistemin kibernetik të sigurtë ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.

Rreth 20 pjesëmarrësit e Akademisë do të bëhen pjesë e konkursit të monitorimit të përmbajtjes së paligjshme në një periudhe 4 mujore (prill – korrik 2023), në Facebook, Twitter, Instagram, Tik-Tok apo Youtube, duke u krijuar një raportim të prioritizuar nga platformat ndërkombëtare, nën asistencën e ekspertëve më të mirë vendas dhe të huaj.

Për sinjalizuesit me më shumë raportime ofrohet një bursë e plotë certifikimi 4 mujore në Data Science, në profilin e kodimit ose sigurisë kibernetike të Academy Coding dojo inc. Bursa do të jepet në bashkëpunim me partnerin ekskluziv në Shqipëri të Coding Dojo, kompaninë “Betaplan”.

Krijimi i bashkëpunimit të besueshëm me platformat ndërkombëtare të rrjeteve sociale do të ofrojë mundësinë që të vijojë më tej komunikimin prioritar me rrjetin shqiptar të Sinjalizuesve. AKCESK dhe institucione të tjera shtetërore do të ftohen gjithashtu të ofrojnë praktika ose forma të tjera trajnimesh dhe bashkëpunimi me rrjetin e Sinjalizuesve të Besuar, duke garantuar vijimin e mëtejshëm të formimit dhe bashkëpunimit profesional të pjesëmarrësve më të mirë.